Ceremonia e Diplomimit në “NEW YORK COLLEGE”

Prova më e mirë e përkushtimit dhe punës së një universiteti janë pikërisht studentët e diplomuar ndër vite dhe suksesi i tyre profesional dhe akademik. “New York College” (NYC), organizoi ceremoninë e diplomimit, një ceremoni emocionuese mes studentësh, pedagogë, dhe drejtues institucionesh të rëndësishme. Në ceremoninë e diplomimit të “New York College”, Athinë, me prezencën e personaliteteve të shquara të fushës akademike, dhe jo vetëm, ishte e pranishme edhe Znj. Nina Guga, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, si e ftuar nderi nga Z. Elias Foutsis, President dhe themelues i “New York College Educational Group” (NYC Educational Group).

Në fjalën e saj përshëndetëse drejtuar të diplomuarve, Znj. Guga iu referua themelimit të universitetit të parë privat në Shqipëri nga bashkethemeluesit Z. Elias Foutsis, dhe Prof. Gramoz Pashko, duke ngjallur emocion të veçantë me historikun e sukseshëm të tij. Znj. Guga u takua me Z. George Holmes, President dhe Kancelar i “Public British University of BOLTON” (Universitetit Shtetëror Britanik BOLTON), i cili deklaroi se universiteti është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të ofrojë diploma të tij, Bachelor, Master, dhe Phd në kolegjin apo universitetin që NYC Educational Group do të krijojë në Tiranë.

Në ceremoninë e diplomimit të (NYC), morën gjithashtu pjesë edhe Dr. Lisa Vollendorf, Presidente e “State University of New York” (SUNY), universiteti më i madh shtetëror në SHBA, me të cilin NYC Educational Group ka bashkëpunuar për 35 vite në Greqi, Çeki dhe Shqipëri. Në ceremoninë e diplomimit të NYC, e ftuar nderi, ishte gjithashu edhe ambasadorja e Shqipërisë në Athinë, Znj. Luela Hajdaraga, e cila bashkë me prindërit shqiptar përjetuan emocione shumë të bukura tek shihnin në skenën e diplomimit të përmendeshin emrat e studentëve shqiptar të cilët finalizuan me sukses studimet e tyre në NYC.