Në më shumë se dyzet vite eksperiencë në sistemin arsimor, në kontakt të përditshëm me nxënës e prindërit e tyre, kërkesa e përhershme për një arsim cilësor shoqërohej gjithmonë me dëshirën për të marrë dije praktike dhe për të siguruar zbatimin real të tyre. Prandaj sot jam e lumtur të jem pjesë e një projekti që në themel ka pikërisht këtë: të mësuarit nëpërmjet praktikës, eksperimentit. STEM, si një filozofi e mirëfilltë edukimi, vjen në Shqipëri përmes American British STEM Academy, një shkollë e dedikuar për arsimin parauniversitar duke shoqëruar nxënësit nga klasa e parë deri në Maturën Shtetërore përmes një përgatitjeje shkencore që bazohet në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Tradicionalisht, shkolla është dhe mbetet vendi i privilegjuar ku edukohet dhe aftësohet njeriu-nxënës, qendra ku zhvillohet një marrëdhënie arsimore themelore, vendi ideal për rritjen e qytetarëve të përgjegjshëm.

American British STEM Academy zotohet të jetë institucioni që u kultivon nxënësve dashurinë për shkencën. Kështu u japim çelësin e suksesit përballë çdo sfide, përmes një kurrikule që bazohet në eksperiencën më të mirë britanike dhe amerikane, me mbështetjen e stafit pedagogjik të trajnuar dhe kontakteve me institucionet në SHBA dhe në Europë. American British STEM Academy përfaqëson një mjedis edukativ në të cilin transmetohen vlerat, zgjohet dëshira për shkencën, vlerësohet inteligjenca dhe promovohet kreativiteti. Në një sistem sa meritokratik, aq edhe mbështetës ndaj përpjekjeve të secilit. I dedikohemi me pasion dhe profesionalizëm ekselencës, prandaj ofrojmë mundësi për të gjithë me anë të sistemit tonë të bursave.

Në një ambient të sigurt në njërën prej zonave më të mira, me infrastrukturën e duhur dhe laboratorët shkencorë, por pa lënë mënjanë terrenet sportive apo mensën ushqimore, eventet që i shoqërojnë nxënësit gjatë gjithë vitit mësimor dhe kontaktet me bashkëmoshatarët e tyre në shkollat partnere, ne sigurojmë kushtet e duhura për një zhvillim të sigurt e të shumëanshëm. Prandaj me shumë kënaqësi ju uroj mirëseardhjen në American British STEM Academy për të nisur së bashku një eksperiencë unike.

Mimoza Matraxhiu
Drejtor
American British STEM Academy