Tirana ka një shkollë të re, “American British STEM Academy” (ABASTEM). Themeluesi i “New York University of Tirana”, Z. Elias Foutsis, rikthehet me grupin e bashkëpunëtorëve të tij të vjetër, me një iniciative të re dhe dinamike në arsim. Shkolla “American British STEM Academy” organizoi ceremoninë e inagurimit, në të cilën ishin të ftuar figura të nderuara në fushën e arsimit, drejtues të shkollës, mësues, prindër, dhe nxënës. Në ceremoni mori pjesë si e ftuar nderi edhe Znj. Nina Guga, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë. Të ftuar, prindër, dhe fëmijë e pranishëm, u njohën nga afër me ambientet dhe laboratorët tanë modern, si dhe me modelet e mësimdhënies STEM. “Shkolla ‘American British STEM Academy’, shënon një hap të rëndësishëm në arsimin cilësor në Shqipëri. Kjo shkollë e vendos vendin tonë përkrah vendeve perëndimore si USA dhe UK” – u shpreh ndër të tjera drejtoresha e shkollës, Znj. Mimoza Matraxhiu.
ABASTEM vjen në Tiranë si shkolla e parë shqiptare që ofron mësimdhënien e bazuar në metodologjinë STEM. STEM është akrononimi për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri (Engineering) dhe Matematikë, i cili i referohet mësimdhënies dhe të nxënit në fushën e shkencave natyrore, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (dhe jo vetem), nëpërmjet një qasjeje të mirëfilltë që i ka munguar deri më tani arsimit në Shqipëri. Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv. Ministër i Arsimit dhe Sportit, Znj. Nina Guga, theksoi se ajo dhe institucioni që ajo përfaqëson mbështesin mjaft hapjen e një institucioni si ABASTEM, pasi është ndër prioritetet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, inkurajimi dhe ofrimi i modeleve të këtyre institucioneve ku në themel dhe prioritet të tyre kanë pikërisht sistemin STEM.